Gjovalin Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka bërë një deklaratë të rëndë dhe kërcënuese ndaj sistemit të drejtësisë. Ai ka paralajmëruar se cilido gjyqtar që do të dënojë nipin e tij “do të përballet me të njëjtin fat si gjyqtari Kalaja”.
“Gjovalin Shkambi: Kush do të dënojë nipin tim, do të ketë të njëjtin fat si gjyqtari Kalaja”

Sipas Shkambit, familja e tij ndihet e tradhtuar nga shteti dhe prej 13 vitesh përpiqet të fitojë të drejtën mbi një pronë që pretendon se e ka blerë me dokumente të rregullta. Ai thekson se kanë informuar institucionet më të larta të shtetit, përfshirë edhe kryeministrin, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Shkambi shton se janë futur në borxhe për të ndjekur proceset gjyqësore dhe ndihen të braktisur:
“Ai që do të dënojë nipin tim, do të përballet me plumba. Kemi 13 vite që i shkruajmë kryeministrit dhe qeverisë. E kemi blerë pronën me ligj dhe dokumente të rregullta. Familjes së të ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë, por shteti na ka lënë në baltë. Nuk kemi qenë në dijeni të krimit që do të kryente nipi im. Më ka tradhtuar shteti, sepse ne ja kemi blerë atë pronë.”
Deklarata e tij shton tensionin dhe alarmon për rrezikun ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë, duke nxjerrë në pah konfliktin e gjatë për pronën dhe pakënaqësinë ndaj institucioneve shtetërore.
https://youtube.com/shorts/Jaa9zzZDrf0?si=VZrBV3bUrdaijEG3