Vrasja e Astrit Kalasë dje brenda sallës së gjyqit në Apelin e Tiranës ka rikthyer në vëmendje një seri aktesh ndaj figurave të drejtësisë në Shqipëri që prej vitit 1999 e deri më sot, duke konfirmuar një klimë të zgjatur kërcënimesh, frike dhe pasigurie për ata që mbrojnë ligjin.
Nga atentati i telekomanduar ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi në 2011 te vrasja e Astrit Kalasë, rastet e zeza që kanë shenjuar sistemin e drejtësisë ndër vite

Shqipëria u trondit të hënën nga vrasja brenda sallës së gjyqit e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja. Ekzekutimi i magjistratit në ambientet e një institucioni të drejtësisë shkel çdo vijë të kuqe të sigurisë dhe paprekshmërisë që duhet të gëzojë një gjyqtar në krye të detyrës.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një seri aktesh ndaj figurave të drejtësisë në Shqipëri që prej vitit 1999 e deri më sot, duke konfirmuar një klimë të zgjatur kërcënimesh, frike dhe pasigurie për ata që mbrojnë ligjin.
Rasti i parë që tronditi opinionin publik ishte më 19 shkurt 1999 kur Kozeta Hyseni, vajza 21-vjeçare e një prokurori në Vlorë, Luftar Hyseni, u gjet e masakruar me gur në Qytetin Studenti në Tiranë. Dyshimet e hetuesve u përqendruan në hakmarrje ndaj të atit, ndërsa autorët nuk u identifikuan kurrë.
Dy ditë më vonë, më 21 shkurt 1999, kryetari i Dhomës së Avokatisë Kleanthi Koçi mbeti i plagosur rëndë në një atentat në Tiranë dhe ndërroi jetë pak ditë më vonë në një avion drejt Italisë. Edhe kjo ngjarje nuk solli drejtësi.