Një histori e gjatë 30-vjeçare pronësie duket se qëndron pas ngjarjes së rëndë që tronditi dje sistemin e drejtësisë shqiptare.
“Kjo është godina nga e cila ndodhi vr*sja” – Nga shkolla e Rezervave te plumbat që tronditën drejtësinë shqiptare!(Foto)

Godina e ish-shkollës së Rezervave në Shkodër, ku jetojnë 31 familje, është në qendër të konfliktit që nisi në vitin 1992 mes banorëve dhe familjes Shkambi – nipi i së cilës, Elvis Shkëmbi, qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Sipas banorëve, objekti nuk ka ndryshuar që prej ditës që ata janë vendosur aty. Fasada është e amortizuar, por muret mbartin histori të shumta betejash ligjore. Familjet thonë se kanë blerë banesat nga Gjon Shkëmbi, i cili më pas nisi një seri padish për t’i rikthyer pronat.
“Unë jam Shuke Pepniku. Këtë shtëpi ia kam blerë Gjon Shkëmbit në vitin 1996. Bashkia ia kishte dhënë atij më 1993. Ai e ka shitur vetë, por prej 15 vitesh kemi qenë nëpër gjyqe. Kemi drita, ujë, dokumente, çdo gjë të rregullt,” – tregon njëra prej banoreve për News24.
“Jemi shumë të tronditur për vdekjen e gjyqtarit Kalaja. Ai vdiq për të drejtën tonë,” shton ajo me lot në sy.
Një tjetër banor akuzon institucionet për rrëmujën ligjore që e ka zgjatur konfliktin për dekada:
“Fitimi i pronës është bërë në mënyrë të gabuar. Bashkia dhe Hipoteka e kanë bërë rrëmujën. Prona është shtetërore, por e kanë regjistruar sikur të ishte private. Gjyqet i ka humbur ky njeri, nuk ka asnjë vendim për të na nxjerrë jashtë.”
Banorët pohojnë se prej vitit 2012 janë nën presion të vazhdueshëm, me kërcënime e tentativa për t’u nxjerrë me forcë nga banesat. Ata shprehen të frikësuar, por të vendosur për të mbrojtur atë që e quajnë “e drejtë jetese”.