Ky është autori i vra*jes së gjyqtarit Astrit Kalaja

Pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda në sallën e gjyqit në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, televizioni Report TV ka publikuar foton e autorit të dyshuar të këtij atentati.
Personi që shfaqet në foto është Gjon Shkambi, tashmë i arrestuar nga policia, i cili akuzohet se ka qëlluar me armë gjyqtarin Kalaja gjatë një seance gjyqësore. Sipas burimeve hetimore, Shkambi është neutralizuar menjëherë pas ngjarjes nga forcat e sigurisë që ndodheshin në godinë, ndërsa arma e krimit i është sekuestruar në vend.
Ngjarja ndodhi në mes të ditës, duke shkaktuar kaos dhe panik në ambientet e gjykatës, ku dhjetëra persona u detyruan të fshiheshin pas dëgjimit të të shtënave. Gjyqtari Kalaja mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë pak minuta më vonë në spital, ndërsa dy persona të tjerë, Rakip dhe Ervis Kurtaj (babë e bir), u plagosën por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se pistat kryesore të policisë dhe prokurorisë lidhen me një konflikt të mundshëm gjyqësor, ndërsa po analizohen të gjitha dosjet ku përfshihej emri i gjyqtarit Kalaja dhe marrëdhëniet e tij profesionale me autorin e dyshuar.