Kush është burri që pësoi fund të frikshëm në mes të Sarandës

Personi që u gjet i vdekur sonte brenda makinës, dyshohet se është pronari i këtij mjeti, Isuf Jaçaj, 57 vjeç, banor I Sarandës.

Viktima që shikoni në foto rezultonte me precedentë penalë dhe ishte përballur me atentat edhe pak vite më parë.

Ngjarja e frikshme ndodhi në lagjen nr 3, por rrethanat si u krye krimi janë të paqarta.

Ajo që dihet deri tani është se sonte në ora 22.50, në lagjen nr. 3, Sarandë, ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit Isuf Jacaj.

Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.

Më 2022, Jaçaj i shpëtoi një tjetër atentati

Sakaq, më 10 korrik 2022 në lagjen Nr.4 të qytetit të Sarandës, 34-vjeçari Kleo Hysi tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij, nënë e dy fëmijëve.

I riu u përfshi në këtë krim ndërkohë që ishte nën masë sigurie arrest shtëpie, masë që e theu duke shkuar në banesën ku 31-vjeçarja, ish grua e tij, jetonte me bashkëjetuesin e saj, shtetasin Isuf Jacaj, personi që sonte dyshohet se humbi jetën në makinën e tij.

Atëherë policia e arrestoi të riun Kleo Hysi nga Kalivaçi i Tepelenës. Po po ashtu arrestoi edhe 55-vjeçarin Isuf Jaçaj, pasi i gjeti një armë të ftohtë, thikë.

Çfarë tha policia më 10 korrik 2022:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi kanë marrë njoftim se në lagjen nr.4, Sarandë, shtetasi K. H. kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F. C., 31 vjeçe dhe bashkëjetuesin e saj, shtetasin I. J, të cilët i kërcënonte se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “On time”.

Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasin K. H., 34 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje.

Po gjatë këtij operacioni, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. J., 55 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (përforcues grushti).

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale ”Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K. H, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I. J.

I biri i Isufit është në burg 

Djali i Isufit, 30 vjeçari Klaus Jaçaj, ndodhet në burg nën akuzën “përkrahje e autorit të krimit”. Ai dyshohet si pjesëmarrës në ngjarjen e datës 17 korrik 2025, kur Ramadan Zoto plagosi me armë në lagjen nr. 4 të Sarandës, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama nga Kamza.

Pak ditë më vonë, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni, vendosi eksploziv tek automjeti i Klaus Jaçaj duke e shkatërruar atë plotësisht, ngjarje ende e pazbardhur.

More posts