Kryeministri Edi Rama ka falënderuar Policinë e Shtetit për ndërhyrjet e shpejta dhe arrestimin e autorëve të zjarreve në disa zona të vendit, duke i cilësuar ata si “psikopatë dhe kriminelë”.
Rama paralajmëron: Aty ku digjet tokë, s’ka ndërtim për 30 vjet!

Në një deklaratë publike, Rama theksoi se falë punës së policisë, sezoni veror solli një përmirësim të dukshëm në menaxhimin e situatës me zjarret, ndërsa paralajmëroi masa të ashpra për ata që synojnë të djegin sipërfaqe me qëllim përfitimi.
“Policia ka bërë të mundur të arrestojë psikopatë dhe kriminelë që vënë zjarre. Aty ku vihet zjarr, do të ndalet dhënia e lejes së ndërtimit për 30 vjet. Nëse një territor digjet për të hapur oreksin për ndërtim, nuk do të ketë më asnjë favorizim,” – deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se autoritetet do të rrisin forcën goditëse dhe veprimet parandaluese në terren, me qëllim identifikimin e personave potencialisht të rrezikshëm që mund të shkaktojnë zjarre me dashje.