Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për barnat onkologjike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nxjerrë në dritë problematika serioze në trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Mungesa e barnave te Onkologjiku rrezikon jetën e pacientëve, zbulime tronditëse nga KLSH

Auditimi zbulon se shumë pacientë janë lënë pa kimioterapi për periudha që arrijnë deri në gjashtë muaj, për shkak të mungesës së barnave dhe dështimeve në sistemin e furnizimit.
Në raportin me mbi 200 faqe të siguruar nga BW, evidentohet se disa pacientë kanë kaluar muaj të tërë pa marrë asnjë dozë kimioterapie, ndërsa qindra të tjerë kanë marrë trajtim me ndërprerje, duke shkelur protokollet mjekësore të miratuara. “Mungesat janë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme, dhe në disa kontrata furnizimi, periudha pa barnat thelbësore ka zgjatur deri në 6 muaj”, thuhet në dokument.
Verifikimet në Farmacinë Qendrore të QSUT kanë konfirmuar periudha të gjata ku stoku i barnave onkologjike ishte zero, si në magazinën qendrore ashtu edhe në farmacinë që furnizon pavionet e Onkologjisë. “Janë evidentuar raste me mungesë barnash për më shumë se një javë rresht, duke rrezikuar seriozisht trajtimin e pacientëve,” thekson raporti.
Në shtesë, KLSH nënvizon se shumica e protokolleve mjekësore që përdoren aktualisht në Spitalin Onkologjik janë të vjetruara, disa prej tyre datojnë që nga viti 2014 dhe nuk janë përditësuar sistematikisht gjatë dekadës së fundit. Ekspertët e auditimit paralajmërojnë se përdorimi i këtyre protokolleve të vjetruara zvogëlon cilësinë e trajtimit dhe mund të çojë në përdorimin e terapive joefektive, të cilat nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.