Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Vuçiç: Të gjithë po përgatiten për luftë! Kosova po përpiqet ta përdorë këtë kohë

Vuçiç i bëri këto komente pasi u pyet nga një gazetar për thirrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.
Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, Vuçiç tha se “bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe se ai “mendon se po shkojmë drejt një konflikti të madh”.
“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, tha Vuçiç.
Vuçiç nuk dha asnjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij se do të ketë luftë. Ai shtoi se Serbia do të “bëjë çmos” për të mos marrë pjesë në atë luftë.