Çmimi i kafesë në Bashkimin Europian ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë gushtit 2025, duke u rritur mesatarisht me 20.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.
Shtrenjtohet ndjeshëm kafeja në Europë, rritje edhe në Shqipëri: A do të ngrihet shqiptari nga kafeneja?

Rritjet më të ulëta janë regjistruar në Portugali (+10.6%), Maltë (+11.3%) dhe Irlandë (+12.1%). Ndërsa në krahun tjetër, vendet baltike kanë pësuar goditjet më të forta në çmimin e kafesë: Estonia ka parë një rritje marramendëse prej +40.9%, e ndjekur nga Letonia me +34.2% dhe Suedia me +29.4%.

Sipas grafikut të publikuar nga Eurostat, pothuajse të gjitha vendet e BE-së kanë regjistruar rritje dyshifrore të çmimit të kafesë, me përjashtime të pakta në Europën Jugore dhe Perëndimore.
Ekspertët vërejnë se faktorët kryesorë pas kësaj rritjeje lidhen me tregjet globale të kafesë, luhatjet e prodhimit për shkak të kushteve klimatike dhe kostot më të larta të transportit.
Raporti u publikua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kafesë, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e këtij produkti të konsumit të përditshëm në Europë.