Një ndryshim thelbësor në mënyrën e udhëtimit drejt vendeve të Bashkimit Europian po vjen për shtetasit jo-anëtarë, përfshirë edhe ata shqiptarë. Duke nisur nga 12 tetori 2025, nis zbatimi i sistemit të ri digjital të njohur si Sistemi i Hyrje-Daljeve (EES), një mekanizëm i krijuar për të zëvendësuar vulat manuale në pasaporta me regjistrimin elektronik të lëvizjeve kufitare.
Udhëtimet jashtë vendit, vjen lajmi i rende për shqiptarët!

Çfarë ndryshon për udhëtarët jo-BE?
Në kalimin e parë të kufirit në një nga vendet pjesë të sistemit EES, udhëtarët duhet të përgatiten për një procedurë të re. Në vend të vulosjes së thjeshtë, ata do t’u nënshtrohen mbledhjes së të dhënave biometrike. Konkretisht, do të kërkohen:
Imazhi i fytyrës (fotografi në kohë reale) për të gjithë udhëtarët.
Katër gjurmë gishtash për udhëtarët që nuk kanë nevojë për vizë (siç janë shtetasit shqiptarë). Për mbajtësit e vizave, gjurmët e gishtave janë tashmë të ruajtura në sistemin VIS dhe nuk do të kërkohen sërish.
Ky proces i ri pritet të shkaktojë vonesa të konsiderueshme, veçanërisht në fazën fillestare të zbatimit. Pritet që koha e përpunimit në pikën kufitare të zgjatet 1.5 deri në 3 herë më shumë sesa aktualisht. Megjithatë, regjistrimi në sistemin EES është pa pagesë.
Si funksionon sistemi i ri dhe përfitimet kryesore
Sistemi EES do të regjistrojë të gjithë shtetasit jo-BE që udhëtojnë në zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
Logaritja automatike: Sistemi do të llogarisë automatikisht sa ditë keni qëndruar në zonën Schengen dhe sa ditë ju mbeten nga kuota prej 90 ditësh.
Ruajtja e të dhënave: Të dhënat biometrike dhe të lëvizjes do të ruhen për 3 vjet. Nëse tejkaloni afatin e lejuar të qëndrimit, kjo periudhë zgjatet në 5 vjet.
EES do të zbatohet në 29 shtete europiane, duke përfshirë të gjitha vendet anëtare të zonës Schengen, si dhe Islandën, Lihtenshtejnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. Nga ky sistem përjashtohen Irlanda dhe Qiproja, të cilat do të vazhdojnë të përdorin vulat tradicionale në pasaportë.