“Emri i Florian Haçkaj propozohet nga opozita për Bashkinë e Tiranës – Reagimi i tij”

Florian Haçkaj ka reaguar pas diskutimeve që e lidhin emrin e tij me kandidaturën për Bashkinë e Tiranës nga radhët e opozitës, bashkë me Edlira Çepanin dhe Ermal Hasimjan. Ai thekson se kjo nuk është vetëm një vlerësim personal, por edhe njohje e rolit që organizata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka luajtur në forcimin e opozitës dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Haçkaj thekson se angazhimi politik kërkon vendimmarrje të matur dhe përgjegjësi të lartë, por shton se deri tani nuk ka marrë asnjë propozim zyrtar. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan:

“Ndihem i nderuar që emri im është propozuar si kandidat i mundshëm i opozitës për Bashkinë e Tiranës. Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por edhe njohje e rolit që ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ ka dhënë dhe mund të japë në forcimin e opozitës dhe zhvillimin demokratik të vendit. Çdo angazhim politik kërkon vendimmarrje të matur dhe përgjegjësi të lartë, dhe një vendim i tillë mund të merret vetëm pas një propozimi zyrtar.”

Dje, edhe politologu Ermal Hasimja konfirmoi se e ka mirëpritur faktin që emri i tij është diskutuar si kandidat potencial për Tiranën. Në vijim të negociatave, PD ka zhvilluar takime me Partinë Mundësia dhe partinë e Shpëtim Idrizit, i cili ishte në koalicion me PD në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Një ditë më parë, Presidenti Bajram Begaj dekretoi 9 Nëntorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit.

More posts