Gazeta prestigjioze italiane Corriere della Sera ka publikuar një artikull të gjatë për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Shqipëri, duke e cilësuar rastin si një histori të mbushur me mister dhe kontradikta.
“Biznesmeni italian i vrarë në Shqipëri/ Versione kontradiktore, kush e fshiu gjurmën e krimit?”

Sarchi, një sipërmarrës ndërtimi nga Varese, i martuar me një shqiptare dhe banues prej vitesh në vendin tonë, u vra të shtunën në fshatin Salari. Fillimisht u tha se ai ishte qëlluar me armë zjarri, por sipas burimeve të Corriere-s, ai dyshohet se është goditur me një shkop në kokë.
Tre personat shqiptarë që ndodheshin me të kanë dhënë versione të ndryshme: njëri pretendon se u sulmuan nga një i armatosur, një tjetër flet për konflikt personal me një 48-vjeçar tashmë në arrati, ndërsa tjetri përmend një shëtitje gjuetie ku nuk u gjet asnjë gëzhojë. I dyshuari kryesor njihet për lidhje me armë, drogë dhe veprimtari të paligjshme.
Një tjetër element që ka ngritur dyshime është varrimi i menjëhershëm dhe privat i Sarchit, pa kryer autopsi, gjë që ka shtuar akuzat për fshehje të së vërtetës.
Sipas Corriere della Sera, shoqëruesit e Sarchit nuk janë emra të rastësishëm, por anëtarë të një familjeje me lidhje të hershme politike dhe të përfolur për lidhje kriminale, duke e bërë rastin edhe më të ndërlikuar.