Dy avionë Eurofighter të NATO-s u ngritën në ajër më 21 shtator mbi Detin Baltik pasi u zbulua një avion spiun rus që fluturonte pa plan fluturimi, njoftoi Delegacioni gjerman në NATO.
RRITEN TENSIONET NË LINDJE TË EUROPËS , NATO KAP AVIONIN SPIUN RUS MBI DETIN BALTIK

Avioni rus Il-20M kishte nisur fluturimin nga Rusia dhe hyri në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa dhënë asnjë sinjal komunikimi. Kjo detyroi pilotët gjermanë të Eurofighter-ëve ta identifikonin vizualisht. Pasi u konfirmua se bëhej fjalë për një avion spiun, shoqërimi i tij iu kalua më pas forcave ajrore suedeze të NATO-s. Il-20M është një avion i specializuar për përgjime dhe luftë elektronike, i pajisur me radarë e sisteme inteligjence që mbledhin të dhëna në mbështetje të operacioneve ushtarake ruse.
Ky rast nuk është i izoluar, por vjen pas disa shkeljeve dhe provokimeve të ngjashme që Rusia ka bërë së fundmi ndaj vendeve kufitare të NATO-s. Më 19 shtator, tre avionë luftarakë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, duke shkaktuar një thirrje të menjëhershme nga Estonia për konsultime sipas Nenit 4 të NATO-s.
Po atë ditë, Polonia raportoi se avionë rusë kishin hyrë në zonën e sigurisë rreth një platforme nafte në Detin Baltik. Po ashtu, më 10 shtator, Polonia rrëzoi dronë rusë që kishin hyrë në territorin e saj gjatë një sulmi mbi Ukrainën, hera e parë që një vend i NATO-s ndërhyn drejtpërdrejt ndaj mjeteve ushtarake ruse në hapësirën e tij ajrore që prej nisjes së luftës.
Gjithashtu, më 13 shtator, Rumania ngriti dy F-16 pas depërtimit të një droni rus në hapësirën e saj ajrore.