Rusia po vazhdon të sfidojë hapur NATO-n me provokime të përsëritura, duke rritur tensionet në kufijtë lindorë të aleancës. Ditën e djeshme, tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan aty për 12 minuta.
Rusia “ndez sërish gjakrat”/ Ja cilët shtete europiane janë “pretë” e preferuara të Putinit

Ministria e Jashtme e Estonisë e cilësoi incidentin si një veprim “të paturpshëm”, ndërsa NATO reagoi menjëherë duke interceptuar avionët. Zëdhënësja e aleancës, Allison Hart, e quajti këtë “një tjetër shembull të sjelljes së pamatur të Rusisë dhe dëshmi të aftësisë së NATO-s për t’u përgjigjur pa vonesë”.
Sipas mediave estoneze, avionët rusë kishin fikur transponderët dhe u futën në hapësirën ajrore të vendit pranë Ishullit Vaindloo. Ministria e Jashtme thirri të ngarkuarin me punë rus për të dorëzuar një protestë zyrtare, ndërsa kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, e përshkroi shkeljen si “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, deklaroi se Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë katër herë që nga fillimi i vitit 2025 dhe se “agresiviteti i saj në rritje duhet të përballet me më shumë presion politik dhe ekonomik”.
Reagimet ndërkombëtare ishin po aq të forta. Kallas shkroi në X se BE-ja do të mbështesë më tej vendet anëtare në forcimin e mbrojtjes së tyre, duke theksuar se Vladimir Putin po teston vendosmërinë e Perëndimit. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “çdo provokim rus do të ketë një përgjigje të vendosur” dhe se BE-ja do të investojë në një krah lindor më të fortë.