Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi u zbulua si pjesë e një rrjeti trafiku droge, ndërkohë që punonte në një hotel në Riccione.
“Shqiptari i luksit të rremë: Nga hoteli në pranga me kokainë në çorape”

Operacioni i karabinierëve nisi në zonën e Miramares, kur efektivët hasën të riun me biçikletë, duke folur në telefon. Sapo pa patrullën, ai mbylli video-thirrjen, gjë që ngriti dyshimet e policisë. Ndërkohë, gjatë verifikimit, telefoni i tij binte vazhdimisht, por ai nuk përgjigjej.
Kontrolli në banesën e tij çoi në gjetjen e tre dozave kokaine të fshehura në kutinë e kufjeve AirPods dhe 880 euro në prerje të vogla në portofol, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimi u zgjerua edhe në dhomën e hotelit ku ai qëndronte. Aty, pas perdeve, policia zbuloi një çorape të lidhur që përmbante mbi 200 gramë kokainë, së bashku me një peshore elektronike, gërshërë dhe qese celofani gati për paketim.
Drogat, mjetet e përgatitjes dhe shumat e parave u sekuestruan. I riu shqiptar u arrestua dhe u transferua në qelitë e paraburgimit, në pritje të një gjykimi të shpejtë në Gjykatën e Riminit. Pas procesit, gjyqtari urdhëroi dëbimin e tij nga rajoni.