“Prej Fierit në Tiranë e Dibër: Si funksiononte skema piramidale që premtonte pasuri të shpejta”

Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh ka zbuluar disa skema mashtruese piramidale online që premtuan pasuri të shpejta, por që u zhdukën me shuma të mëdha parash të qytetarëve.

Skemat funksiononin përmes platformave të rreme investimi, ku viktimave u ofroheshin “fitime të garantuara”. Në realitet, paratë e investuara përfundonin në duart e organizatorëve të rrjetit.

Si rezultat i hetimeve, u arrestuan gjashtë persona: Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini. Sipas policisë, ata shërbenin si agjentë të platformave mashtruese, duke bindur qytetarët të investonin, shpesh me shuma fillestare mbi 1000 dollarë.

Të arrestuarit, megjithatë, mohojnë akuzat. Ata thonë se nuk kanë detyruar askënd të investojë, por se “të parët që hynë në skemë arritën të fitonin fonde në kriptomonedha, të cilat më pas i konvertuan në Kosovë”.

Për të dokumentuar mashtrimin, policia është infiltruar vetë në platformë duke investuar para – të cilat nuk iu kthyen asnjëherë sipas premtimit. Hetimet vijojnë për identifikimin e të tjerëve të përfshirë dhe për gjurmimin e parave të humbura.

More posts