Edhe pse jemi në mesin e shtatorit, Shqipëria vijon të përjetojë ditë tipike vere. Meteorologia Lajda Porja njoftoi se kjo javë do të jetë kryesisht e qëndrueshme, me temperatura mbi mesataren sezonale dhe mot të kthjellët në shumicën e vendit.
“Nga 23°C në 35°C: Parashikimi i pazakontë i javës për Shqipërinë dhe rajonin”

“Atmosfera e verës vazhdon ende. Java do të mbetet me diell dhe e nxehtë, përveç disa vranësirave dhe reshjeve të pakta në zonat veriore ditën e mërkurë. Fundjava sjell sërish kthjellime dhe temperatura të larta,” u shpreh Porja.
Sipas saj, termometri do të luhatet nga 23°C deri në 35°C, duke e bërë këtë periudhë më të ngrohtë se normalja për shtatorin. Ditët më të nxehta pritet të jenë e enjtja, e premtja dhe fundjava, ideale për pushime buzë detit.
Edhe rajoni do të përjetojë një tablo të ngjashme. Në Kosovë dhe Mal të Zi parashikohen reshje të pakta në mesin e javës, por më pas moti përmirësohet, me temperatura deri në 32°C. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut do të regjistrojë deri në 24°C.