“Ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe Greqinë/ Vajza nxjerr të vërtetën: Mami kishte lidhje tjetër, babi nuk duroi dot”

Për herë të parë pas tragjedisë që tronditi opinionin publik, ka folur Anastasia, vajza 18-vjeçare e çiftit Pandeli dhe Marjola Nakoleci. Në një intervistë për televizionin grek MEGA, e reja mes lotësh tregoi dhimbjen e madhe që po përjeton dhe theksoi se për të, fajtorë për ngjarjen janë të dy prindërit.

“Të dy janë fajtorë për mua. Na lanë në rrugë, nuk menduan për ne. Nëna ime kishte një lidhje tjetër intime, babai im ishte shumë xheloz dhe për këtë arsye shpërtheu sherri. Ai burrë fliste me mamin dhe mendoj se kishin kohë që ishin bashkë. Nuk e di saktë, por kjo na shkatërroi familjen,” – rrëfeu Anastasia.

Sipas saj, pak ditë para ngjarjes së rëndë, familja kishte qenë me pushime dhe gjithçka dukej normale. Megjithatë, tensionet kishin nisur më herët, pasi i ati kishte zbuluar mesazhe në telefonin e nënës.

“U thashë: Mos u zihni, dua t’ju kem bashkë gjithmonë, për fëmijët tuaj. Nuk e besoja se do të ndodhte kjo. Kaluan dy ditë nga pushimet dhe gjithçka ndryshoi. Edhe mami gaboi, edhe babi gaboi që zgjodhi të marrë jetën e gruas që e donte dhe me të cilën kishte katër fëmijë.”

Vajza shtoi se në familjen e saj nuk kishte pasur dhunë fizike dhe përshkroi të atin si njeri të qetë, por shumë xheloz.

“Babi nuk na ka goditur kurrë, as mamin. Nuk e kam parë të jetë i dhunshëm, por xhelozia e verboi. Duhej të ndaheshin me mirëkuptim, jo me tragjedi.”

Mes të qarash, Anastasia kujtoi momentin kur mori lajmin e hidhur nga vëllai i saj:

“Vëllai më telefonoi dhe më tha: Eja shpejt, babi vrau mamin. Nuk e harroj dot atë çast. Më pas, gjatë arratisë, babi më tha: Nuk doja ta bëja.”

E pyetur nëse do ta vizitojë të atin në burg, 18-vjeçarja pranoi se është e ndarë mes dashurisë për babain dhe dhimbjes për nënën e humbur.

“Nuk e di. Dua, por do të doja që edhe mami të ishte gjallë. Më mungon shumë. Qaj çdo ditë. Është e vështirë të jetosh pa prindërit.”

Ngjarja e rëndë që mori jetën e Marjola Nakolecit dhe çoi në burg bashkëshortin e saj Pandeli, ka lënë pas katër fëmijë të mitur. Sot, Anastasia përballet me realitetin më të dhimbshëm, ku dashuria, tradhtia, xhelozia dhe pendesa janë gërshetuar në mënyrën më tragjike.

More posts