Panik në qytetin e Durrësit sot paradite, pasi një lëndë plasëse u gjet në një zonë të banuar. Banorët që vunë re objektin e dyshimtë lajmëruan menjëherë policinë, e cila mbërriti me urgjencë në vendngjarje.
Alarm në qytetin bregdetar: Eksploziv i gjetur pranë banesave në Durrës

Forcat blu rrethuan perimetrin dhe ndaluan qarkullimin e automjeteve për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Në vendngjarje u thirrën specialistët e njësisë së xhenios, të cilët po verifikojnë dhe neutralizojnë lëndën eksplozive.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një tentativë kriminale apo një akt intimidimi. Policia ka nisur kontrollin e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat e përfshirë.
Ngjarja ka shtuar frikën tek banorët, të cilët shprehen të shqetësuar për rritjen e përdorimit të eksplozivëve në qytet. Autoritetet paralajmërojnë se detajet e plota do të bëhen publike pas përfundimit të ekspertizës.