Alarm në Evropë: Dronët rusë kalojnë kufirin, Polonia i rrëzon menjëherë

Polonia ka njoftuar se mëngjesin e së mërkurës ka rrëzuar disa dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e cilësuar këtë një “akt agresioni”.

Sipas ushtrisë polake, shkelja ndodhi në mënyrë të përsëritur ndërkohë që Rusia kishte nisur një valë sulmesh të reja në Ukrainë, madje edhe pranë kufirit polak.

Kryeministri Donald Tusk reagoi menjëherë përmes një postimi në X, duke konfirmuar rrëzimin e dronëve dhe duke theksuar se për këtë zhvillim është informuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

👉 “Ky është akt agresioni që paraqiti kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, deklaroi Komanda Operacionale e Ushtrisë së Polonisë.

Ndërkohë, si masë sigurie, autoritetet kanë mbyllur katër aeroporte, përfshirë edhe atë kryesorin në Varshavë. Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) njoftoi se është mbyllur gjithashtu edhe Aeroporti Rzeszow–Jasionka në juglindje, i cili ka rëndësi strategjike për transportin e pasagjerëve dhe furnizimeve drejt Ukrainës.

Raportohet se nuk ka viktima në territorin polak, ndërsa mbetet e paqartë sa dronë rusë ishin përfshirë në incident. Aktualisht, ushtria po kërkon për mbetjet e tyre.

Ky zhvillim ka rritur ndjeshëm tensionet në Varshavë dhe në radhët e NATO-s, ndërkohë që Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë asnjë reagim.

Forcat ajrore të Ukrainës bënë të ditur se pothuajse i gjithë vendi ishte nën alarm ajror në orët e para të mëngjesit, përfshirë rajonet perëndimore pranë kufirit me Poloninë.

More posts