Ende mister vrasja e 34-vjeçarit Kristian Kola, policia merr dëshmitë e familjarëve, asnjë gjurmë nga dy autorët

Vrasja e 34-vjeçarit Kristian Kola, mbrëmjen e së enjtes në Shkodër, vazhdon të mbetet pa autor dhe pa motiv të qartë. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, përballë dhjetëra dëshmitarëve dhe nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë së bizneseve përreth.

Kristian Kola u qëllua nga persona të maskuar, ndërsa ishte ulur në një lokal buzë rrugës, së bashku me një mik. Ai tentoi të largohej për t’u shpëtuar plumbave, por nuk ia doli. Autorët u larguan me motorin që i priste pak metra më tej. Pavarësisht se pamjet filmike janë sekuestruar dhe duken dy të dyshuarit, policia ende nuk ka një pistë konkrete hetimi.

Sipas burimeve, Kola nuk ka pasur precedentë penalë. Ai menaxhonte një firmë ndërtimi me të atin dhe së fundmi kishin marrë një projekt për rikonstruksionin e kinemasë së qytetit. Nuk ka të dhëna për lidhje me grupe kriminale, por hetuesit po verifikojnë të gjitha lëvizjet dhe komunikimet e tij të fundit.

Dyshohet se është ndjekur për disa ditë para vrasjes. Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e familjarëve dhe shokëve të viktimës, ndërsa pritet të analizohen me imtësi orë të tëra filmimesh. Ngjarja ka tronditur Shkodrën, vetëm pak ditë pas një tjetër vrasjeje të rëndë në qytet.

More posts