Në fushatën zgjedhore të 11 majit, kryeministri Edi Rama e nisi garën me një shifër premtuese për qytetarët: 500 euro. Kaq do të bëhet paga minimale në Shqipëri, sipas tij, deri në vitin 2026.
500 euro në lajme, jo në xhepa/ Qeveria ende pa vendim për pagën minimale

Hapi i parë drejt përmbushjes së këtij premtimi, miratimi i vendimit nga Këshilli i Ministrave.
“Në qershor do ta bëjmë pagën minimale 500 euro dhe do të hyjë në efekt nga janari i 2026-ës”, njoftoi kryeministri Rama pak përpara zgjedhjeve, duke shtuar se kjo rritje do të ndodhë pa vendosur “asnjë taksë shtesë” për biznesin në 18 muajt e parë. Një premtim i lehtë dhe i kuptueshëm për të gjithë votuesit.
Por dy muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, kur tymi i fishekzjarreve elektoralë është shuar, Faktoje vendosi të verifikojë nëse është hedhur ndonjë hap konkret drejt realizimit të këtij premtimi.
Për të marrë përgjigje, dërguam një kërkesë për informacion pranë Këshillit të Ministrave, për të kuptuar nëse vendimi, i njoftuar se do të merrej në qershor, është miratuar.