Një ngjarje tronditëse është regjistruar këtë të mërkurë në Tiranë, ku një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pas akuzave për dhunë dhe tentativë për vrasje ndaj bashkëjetueses së tij.
42-vjeçari dhunon dhe tenton të djegë bashkëjetuesen

Policia bën me dije se në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet A. Ll., 42 vjeç, i cili fillimisht ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij dhe më pas ka tentuar të djegë atë së bashku me banesën ku jetonin.
Arrestohet shtetasi A. Ll., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe ka tentuar të djegë atë dhe banesën e tyre,” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës.
Fatmirësisht, gruaja ka mundur të shpëtojë pa dëmtime të rënda, ndërsa ndërhyrja e policisë parandaloi një tragjedi të mundshme. Banesa ku ndodhi ngjarja është vendosur nën kontroll për të shmangur rrezikun e përhapjes së flakëve.
Materialet procedurale tashmë i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij akti të rëndë dhune.