15 dronë misteriozë fluturojnë mbi bazën ushtarake në Belgjikë dhe “arratisen” drejt Gjermanisë

Një incident i pazakontë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit mbi hapësirën ajrore të Belgjikës, ku rreth 15 dronë të paidentifikuar janë pikasur duke fluturuar mbi kampin ushtarak të Elsenborn, një prej zonave stërvitore të NATO-s pranë kufirit me Gjermaninë.

Ministria belge e Mbrojtjes ka nisur menjëherë një hetim, ndërsa ka konfirmuar se dronët u shfaqën rreth orës 02:00 të mëngjesit, duke qarkulluar mbi zonën e ndjeshme ushtarake përpara se të zhvendoseshin drejt Gjermanisë.

Sipas raportimeve të mediave vendase, pas hyrjes në hapësirën ajrore gjermane, objektet fluturuese u pikasën nga policia e qytetit Düren, jo shumë larg kufirit belg. Ende nuk dihet se kush i ka drejtuar dronët apo cili ishte qëllimi i fluturimit.

Burime ushtarake bënë me dije se incidenti ndodhi pikërisht gjatë një ushtrimi për testimin e sistemeve të zbulimit të dronëve, duke sugjeruar se forcat ishin në gatishmëri për të monitoruar lëvizje të tilla. Megjithatë, fakti që objektet fluturuan mbi një zonë të ndjeshme të NATO-s ka rritur shqetësimet për sigurinë dhe mbikëqyrjen ajrore.

Autoritetet belge dhe gjermane po bashkëpunojnë ngushtë për të zbardhur origjinën dhe synimin e këtij fluturimi të pazakontë. Deri tani nuk ka prova që dronët të kenë përbërë kërcënim të drejtpërdrejtë, por ngjarja ka ndezur alarmin në një periudhë me tensione gjeopolitike të rritura dhe rrezik të shtuar nga kërcënimet hibride.

More posts